This is an automatically generated PDF version of the online resource albania.mom-gmr.org/en/ retrieved on 2024/09/12 at 10:14
Global Media Registry (GMR) & BIRN ALBANIA - all rights reserved, published under Creative Commons Attribution-NoDerivatives 4.0 International License.
BIRN ALBANIA LOGO
Global Media Registry

Vetëcensura në median shqiptare

Ndryshe nga censura 'e vërtetë', në të cilën dikush nga jashtë detyron gazetarin të ndryshojë një informacion të caktuar, vetëcensura do të thotë që vetë gazetari e bën atë në mënyrë parandaluese, shpesh për shkak të frikës nga pasojat që mund të ketë për veten dhe familjen, nga frika e padive gjyqësore apo pasojave ekonomike që kërcënojnë mirëqenien e gazetarit apo të familjes së tij apo saj. Studimet tregojnë se ky është një fenomen shqetësues që vijon të dominojë gazetarët shqiptarë.

Menjëherë pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri dhe në dekadën që pasoi, marrëdhënia mes elitës politike dhe gazetarëve ishte konfliktuale dhe reporterët shpesh përballeshin me agresion e madje edhe me burgosje. Megjithëse pas vitit 2000 kërcënimet e drejtpërdrejta ndaj gazetarëve u pakësuan, media vijoi të përballet me përqasjen 'kulaçi dhe kërbaçi' nga qeveria dhe interesat e lidhura me të, të cilat krijuan kushtet për një praktikim në rritje të vetëcensurës mes gazetarëve. Megjithëse vetëcensura nuk është e lehtë të matet, praktika mbetet një shqetësim për reporterët dhe profesionistët e medias ndërsa disa e konsiderojnë si sfida më e madhe me të cilën përballet sot mjedisi i medias në Shqipëri.

Një raport i vitit 2016 i Parlamentit Europian identifikon vetë-censurën si problem i vazhdueshëm më skenën e medias në Ballkan, shpesh nxitur nga mungesa e sigurisë në punë dhe frika nga hakmarrja. Raporti i Progresit i vitit 2016 nga Komisioni Europian për Shqipërinë thekson se vonesat në pagesën e rrogave për gazetarët dhe mungesat në pagesën e sigurimeve shoqërore janë një fenomen i gjithëpërhapur, i cili mund të shtyjë me lehtësi drejt vetëcensurës.

Një studim i kryer nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative në Shqipëri më 2015 me 121 gazetarë, redaktorë, pronarë mediash dhe ekspertë doli në konkluzionin se kjo është një praktikë e gjithëpërhapur mes gazetarëve, ku faktori kryesor cytës i identifikuar ishte rrjeti i ndërthurrur i interesave politike dhe ekonomike të pronarëve të medias. Raporti 'Të mbyllësh një sy ndaj lajmit: Vetëcensura në median shqiptare',tregoi se ekziston një trekëndësh në Shqipëri mes biznesit, pronarëve të medias dhe politikës, e cila minon gazetarinë cilësore dhe kthen shumë reporterë në viktima të censurës dhe vetëcensurës.

Sipas raportit, 70% e të intervistuarve si pjesë e studimit besojnë se gazetarët në Shqipëri shpesh shmangin raportimin mbi lajme apo tema të caktuara. Ndërkohë, pothuajse gjysma e gazetarëve që u vrojtuan raportuan se kanë shmangur drejtpërsëdrejti mbulimin e një apo më shumë lajmeve gjatë karrierës së tyre. Sipas studimit, zhanri në të cilin gazetarët kanë ushtruar më shpesh vetëcensurën ishte lajmi politik (70%), rastet që përfshinin krimin e organizuar (60%) dhe lajmet ekonomike (50%).

Vetëcensura zakonisht ndodh në një treg mediatik për shkak të presioneve të tërthorta dhe të drejtpërdrejta mbi organizatat e medias, presioneve të brenshme dhe përvetësimit nga gazetarët të vlerave të organizatës mediatike në të cilën punojnë. Mediat në Shqipëri shpesh janë krijuar nga biznesmenë që i përdorën ato në mbështetje të interesave të lidhura në fusha të mbirregulluara. Përveç rrjetit të komplikuar që krijohet rreth interesave të lidhura me pronarin e medias, klima e medias në Shqipëri është nën presion edhe nga një seri faktorësh të tjerë, përfshirë interesat e korporatave të mëdha reklamuese, institucioneve shtetërore dhe buxhetet e reklamave të qeverisë, por asnjë nga këto faktorë të jashtëm nuk luan një rol aq të madh për t'i shtyrë gazetarët drejt vetëcensurës nga sa luan interesi ekonomik dhe politik i pronarëve.

Afërsisht 80% e gazetarëve që morën pjesë në studim dhanë një vlerësim negativ për sigurinë e tyre në punë,g gjë që krijon kushtet që gazetarët të shtyhen drejt vetëcensurës. Raporti vëren se shpesh mungesa e parimeve editoriale të shkruara janë një faktor rreziku. Megjithëse gazetarët raportojnë se ata janë shpesh në dijeni të anësive të pashkruara të mediave ku ato punojnë, anësi të cilat shpesh transmetohen përmes sinjaleve të dërguara në redaksi nga kryeredaktorët, drejtorët e lajmeve apo kolegët, sinjale që mund të ndryshojnë në çdo çast. Këto sinjale të politikave informale brenda organizatave të medias shpesh i shtyjnë gazetarët të shmangin raportimin mbi lajme të caktuara të cilat mund të bien në konflikt me interesat politikë apo ekonomikë të pronarëve, i shtyjnë gazetarët drejt raportimit të njëanshëm në formatin PR të partnerëve politikë dhe financiarë dhe të shmangin në përgjithësi gazetarinë kritike dhe gazetarinë investigative.

Me përjashtim të pasigurisë në punë, kërcënimet ndaj sigurisë së gazetarëve shpesh citohen nga reporterët që mbulojnë krimet dhe çështjet gjyqësore. Drejtuesit e medias në Tiranë raportuan gjithashtu rritje të presionit nga krimi i organizuar, si një fenomen i ri që i shtohet një liste të gjatë faktorësh që sakaq shtyjnë gazetarët drejt vetëcensurës.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  • Funded by
    BMZ