This is an automatically generated PDF version of the online resource albania.mom-gmr.org/en/ retrieved on 2024/09/12 at 10:14
Global Media Registry (GMR) & BIRN ALBANIA - all rights reserved, published under Creative Commons Attribution-NoDerivatives 4.0 International License.
BIRN ALBANIA LOGO
Global Media Registry

Ekonomia

Shqipëria është një ekonomi e vogël dhe e hapur dhe është klasifikuar si "vend me të ardhura të ulëta të mesme" nga Banka Botërore, me Prodhim të Brendshëm Bruto (PBB) nominal prej 11 miliardë eurosh dhe PBB për frymë prej 4,000 eurosh sipas të dhënave të vitit 2016. Përbërja e PBB-së është si vijon: shërbimet me 59%; bujqësia, pyjet dhe peshkimi me 19%; industria me 11%; dhe ndërtimi me 10%.

Sektori i medias në Shqipëri përbën 0.9% të PBB-së, e barabartë me afërsisht 100 milionë euro në vit, nga të cilat 67 milionë euro janë të ardhurat e platformave me pagesë dhe të ardhurat e radio televizionit publik shqiptar, ndërsa 31 milionë euro përllogariten të ardhurat e televizioneve pa pagesë dhe 4.5 milionë euro janë të ardhurat e medias së shkruar.

Që nga rënia e komunizmit më 1991, ekonomia e Shqipërisë është varur gjerësisht nga remitancat nga një popullsi gjithnjë e në rritje diaspore që emigroi drejt vendeve më të pasura fqinje, të tilla si Italia dhe Greqia, si dhe nga të ardhurat në rritje të ngadaltë nga sektori i turizmit. 

Rritja e çmimit të lëndëve të para që nga viti 2004 ndihmoi rigjallërimin e industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit të naftës si dhe të mineraleve, më së shumti krom, bakër dhe gur gëlqeror. Shqipëria ia doli të prodhojë deri në 1.4 milionë tonë naftë bruto më 2014, duke përbërë 5% të PBB-së së vendit. Prodhimi i kromit arriti në 653,000 tonë më 2015, duke zënë rreth 1% të PBB-së ndërsa prodhimi i çimentos ishte 914,000 tonë - me vlerë 40 milionë euro. Prodhimi i bakrit u ndërpre më 2014 për shkak të kombinimit të çmimeve të ulëta ndërkombëtare me pakësimin e rezervave minerare ekzistuese. Shqipëria përfiton nga burimet e konsiderueshme hidrike të cilat furnizojnë të gjithë prodhimin e elektricitetit në vend, duke e bërë Shqipërinë një nga të paktat vende në botë me burime të rinovueshme të energjisë elektrike në masën 100%.

Kushtet e këqija të banimit dhe stoku i vogël i banesave i trashëguar nga koha e regjimit komunist, kombinuar me remitancat nga emigrantët, krijoi një bum ndërtimi përgjatë dekadës së fundit - më së shumti e përqendruar në ndërtimin e apartamenteve, por edhe për zhvillime në turizëm dhe shërbime. Gjithsesi, Kriza Financiare Botërore e vitit 2008 goditi rëndë Italinë dhe Greqinë, duke prodhuar krizat europiane të borxheve dhe efekte shumë negative mbi remitancat që emigrantët shqiptarë sillnin në shtëpi. Ritmi i rritjes ekonomike u përgjysmua nga mbi 6 për qind që ishte mesatarisht në vitet para krizës në më pak se 3% pas krizës. Për më tepër, rritja e PBB-së pas vitit 2008 u ushqye nga një numër i vogël investimesh të huaja masive për ndërtimin e një gazsjellësi dhe një kaskade hidrocentralesh, të cilat kanë pak efekt te të ardhurat e përgjithshme të popullsisë. Financat publike ishin të papërgatitura për të përballuar efektet e krizës dhe borxhi publik i vendit u rrit me shpejtësi deri në 73% të PBB-së më 2016, nga 56% që ishte në vitin 2008.

Shqipëria ka një popullsi në moshë pune prej 2 milionë banorësh, nga të cilët vetëm 600,000 janë të punësuar në sektorin formal. Nga këta, 600 mijë, rreth një e treta, është e punësuar në sektorin publik dhe pjesa tjetër në sektorin privat. Vetëpunësimi dhe bizneset e vogla dominojnë vendet e punës në sektorin privat ndërsa manifakturës së veshjeve e këpucëve si dhe shërbimet e marketingut përmes internetit janë gjithashtu sektorë të rëndësishëm.

Normat e larta të emigrimit masiv kanë shkaktuar gjithashtu një 'problem demografik' për vendin. Normat e lindshmërisë kanë rënë dhe potenciali ekonomik i vendit është i rrezikuar nga vijimi i migrimit dhe plakja e popullsisë. 

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  • Funded by
    BMZ