This is an automatically generated PDF version of the online resource albania.mom-gmr.org/en/ retrieved on 2024/09/12 at 10:07
Global Media Registry (GMR) & BIRN ALBANIA - all rights reserved, published under Creative Commons Attribution-NoDerivatives 4.0 International License.
BIRN ALBANIA LOGO
Global Media Registry

Historia

Media shqiptare e ka origjinën në mes të shekullit të 19 në lëvizjen për Rilindje Kombëtare të bashkësive të diasporës dhe u krijua fillimisht për të promovuar identitetin shqiptar dhe patriotizmin deri sa vendi shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane më 1912. Gazeta shqiptare “L’Albanese d’Italia” u publikua nga shkurti në qershor 1848 në Napoli, nga poeti shqiptar Jeronim De Rada, si në italisht ashtu edhe në ‘arberesh' - dialekti i shqipes i folur nga diaspora që migroi në Italinë e Jugut gjatë shekullit të 15. Publikime të tjera nga bashkësitë e diasporës pasuan vonë në shekullin e 19. Gazetat e para në gjuhën shqipe në u publikuan në Greqi: gazeta “Pellazgu” e publikuar më 1860 në Lamia nga Anastas Byku dhe “I foni tis Alvanias – Zëri i Shqipërisë”, e publikuar në Athinë më 1879 nga Anastasio Kullurioti. Publikime të tjera në gjuhën shqipe të tilla si “Flamuri i Arbërit” në Itali, “Drita” (më pas “Dituria”) publikuar në Stamboll, “Arberi i Ri” në Palermo, “Shqiptari” në Bukuresht, “Albania” në Bruksel, “Kombi” dhe “Dielli” në SHBA, “Drita” në Sofje, etj., u publikuan nga vitet 1883 deri më 1908. Pas revolucionit të Xhonturqve dhe fillimit të epokës së dytë kushtetuese në Perandorinë Osmane, shtypi në gjuhën shqipe u lejua edhe brenda kufijve të perandorisë dhe një numër botimesh u hapën në qytetet e Shkodrës, Korçës, Elbasanit, Janinës, Selanikut, etj. 

Pas pavarësisë, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në periudhën e mëvonshme të republikës, nga viti 1921 deri më 1928, kur Presidenti Ahmet Bej Zogu u deklarua nga asambleja kombëtare Mbreti Zog I, një numër publikimesh të reja u themeluan dhe u publikuan me shkallë të ndryshme suksesi si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Duke kuptuar ndikimin e medias në opinionin publik, Mbreti Zog miratoi ligjin e parë mbi shtypin më 24 Janar 1931, i cili imponoi një seri kufizimesh për botuesit e gazetave. Sipas ligjit, ata duhej të ishin mbi 25 vjeç, të kishin diplomë të shkollës së mesme dhe të depozitonin 5 mijë franga ari. Ligji përmbante mbi 60 nene, të cilat kufizuan lirinë e shtypit në mënyrë domethënëse. Dy dekrete të lëshuara nga mbreti më 1937 imponuan kufizime të mëtejshme, duke sjellë mbylljen e disa gazetave. Stacioni i parë i radios në Shqipëri, “Radio Tirana” filloi transmetimet më 28 nëntor 1938, inaguruar nga Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia më 1939 solli mbylljen e të gjitha gazetave ekzistuese, të cilat u zëvendësuan nga “Fashisti”, publikimi zyrtar i Partisë Fashiste Shqiptare, fillimisht e publikuar më 25 maj 1939.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ngritjes së komunistëve në pushtet, nën drejtimin e Partisë së Punës së Shqipërisë, panorama e medias u bë shumë e kontrolluar. Gjatë regjimit komunist të ish diktatorit Enver Hoxha, 8 gazeta kombëtare u publikuan, përfshirë “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Puna”, “Mësuesi”, “Drita”, “Luftëtari”, “Sporti Popullor”, si dhe pati 27 gazeta rrethesh. Publikimet kryesore ishin “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, publikuar gjashtë ditë në javë. Më 1960 u kryen transmetimet e para të televizionit shqiptar, ndërsa lajmet filluan të transmetohen më 1963. Nga viti 1966 transmetuesi shtetëror “RTSH” kryente transmetime ditore nga ora 18:00 deri më 22:30. Transmetimi me ngjyra filloi në vitet ‘80, megjithëse shumë pak shqiptarë kishin një televizor me ngjyra. Nga mesi i viteve '80, “Radio Tirana” transmetonte në 20 gjuhë, duke përhapur propagandën komuniste jashtë vendit, ndërsa brenda vendit gazeta “Zëri i Popullit” arriti një qarkullim prej 100 mijë kopjesh.

Pas rënies së regjimit komunist, shumica e gazetave të cilat mbështeteshin financiarisht nga partia komuniste dhe sindikatat nuk mbijetuan. Gjithsesi, fillimi i tranzicionit shumë-partiak drejt demokracisë solli shfaqjen e shumë gazetave të reja - disa të pavarura dhe të tjera të lidhura me partitë politike. Gazeta e parë që u krijua pas vendosjes së sistemit pluralist të qeverisjes ishte “Rilindja Demokratike” me numrin e parë të nxjerrë më 5 janar 1991, si gazeta zyrtare e të sapoformuarës Partia Demokratike në opozitë. Gazeta e parë e pavarur “Koha Jonë” u publikua për herë të parë më 11 maj 1991, e krijuar nga gazetari Nikoll Lesi. Televizioni i parë privat 'Shijak TV' u hap në dhjetor 1995 dhe pas tij u hapën dhjetëra stacione të tjera private. Brenda një dekade, një skenë mediaje në lulëzim u shfaq; gjithsesi, kuadri ligjor i nevojshëm për garantimin e lirisë së medias mbeti i papërshtatshëm, gjë që solli një përballje mes medias dhe aktorëve shtetërorë. Kulmi i përballjes ishte sulmi zjarrvënës në zyrat e gazetës së pavarur “Koha Jonë” më 1997, mes kaosit dhe anarkisë së krijuar nga falimentimi i skemave piramidale, ku qindramijëra shqiptarë humbën kursimet e tyre. Kjo ngjarje, megjithëse nuk u hetua kurrë, iu atribuua gjerësisht shërbimit sekret (SHIK) dhe i dha presidentit të asaj kohe Sali Berisha, një vend në listën e 10 armiqve më të mëdhenj të shtypit më 1997, publikuar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. Ekspertët e medias dhe bashkësia e profesionistëve e shikonte ligjin e miratuar në parlament më 1993 si të papërshtatshëm dhe shtypës dhe ai u amendua më 1997, duke lënë vetëm një nen të përgjithshëm që thotë se media është e lirë. Ligji i parë për median audiovizive u miratua më 1998 dhe është amenduar shumë herë gjatë dekadës që pasoi. Ligji për lirinë e informimit u miratua më 1999, ndërsa një ligj i ri i përmirësuar u miratua më 2014. Në dekadën e fundit media në Shqipëri është përshkruar në mënyrë të përsëritur si 'pjesërisht e lirë' nga raportet Liria e Shtypit nga Freedom House. Megjithëse një numër i madh kompanish konkurrojnë në një treg të vogël, media shfaq anësi të forta në raportimet e tyre bazuar në interesat ekonomike dhe politike të pronarëve të medias ndërsa gazetarët shpesh përdorin vetëcensurën. 

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  • Funded by
    BMZ