This is an automatically generated PDF version of the online resource albania.mom-gmr.org/en/ retrieved on 2024/09/12 at 10:12
Global Media Registry (GMR) & BIRN ALBANIA - all rights reserved, published under Creative Commons Attribution-NoDerivatives 4.0 International License.
BIRN ALBANIA LOGO
Global Media Registry

Politika

Republika e Shqipërisë është një demokraci parlamentare, ku shumica e fuqive ekzekutive i përkasin zyrës së kryeministrit dhe qeverisë, e cila zgjidhet nga parlamenti. Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 anëtarë të zgjedhur me një mandat katërvjeçar përmes një sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura. Presidenti i Republikës është kreu i shtetit dhe përfaqëson, sipas Kushtetutës, 'unitetin e popullit'. Ai zgjidhet nga parlamenti për një mandat pesëvjeçar. Kandidati duhet të jetë shtetas shqiptar dhe së paku 40 vjeç dhe duhet të ketë banuar në vend përgjatë dhjetë viteve të fundit. Megjithëse presidenti konsiderohet Kreu i Shtetit, ky post mbart pak pushtet ekzekutiv dhe konsiderohet më së shumti ceremonial.

Presidenti aktual i Shqipërisë, Ilir Meta, u zgjodh më 28 prill 2017, me 87 vota në favor dhe dy vota kundër në asamblenë me 140 vende. Në atë kohë, Meta ishte kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kishte shërbyer më herët si ministër i jashtëm, kryeministër dhe kryetar i parlamentit. Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën më 25 qershor 2017, ku Partia Socialiste fitoi 74 deputetë, Partia Demokratike fitoi 50 deputetë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, 16 vende. Rezultati i zgjedhjeve lejoi Partinë Socialiste, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, të krijojë qeverinë e parë me një parti në më shumë se një dekadë. Qeveria e Ramës ka 13 ministra dhe një zëvendëskryeministre, Senida Mesi. Gjashtë ministra janë burra dhe gjashtë janë gra.

Nga viti 1945 deri më 1991, nën regjimin komunist të ish-diktatorit Enver Hoxha, Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara përtej Perdes së Hekurt, e krahasueshme vetëm me Korenë e Veriut të sotme. Pas Luftës së Dytë Botërore, Hoxha e afroi veten me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e Paktit të Varshavës.

Gjithsesi, ai u shkëput nga blloku pas politikave të de-Stalinizimit të Nikita Krushovit, të cilat Hoxha i perceptoi si të kundërta me doktrinën Marksiste dhe një kërcënim për pushtetin e tij. Në vitet 1960, Hoxha e afroi vendin me Kinën, e cila me ndihmat e saj zëvendësoi ndihmën ekonomike sovjetike dhe ofroi kredi që mbështetën regjimin shqiptar. Gjithsesi, edhe marrëdhëniet me Kinën u prishën pas vizitës në Pekin në vitin 1972 nga ish-Presidenti i SHBA  Richard Nixon, vdekjes së kryetarit Mao Cedun më 1976 dhe politikës së jashtme pragmatike të udhëheqësisë së re kineze. Pas ndarjes me Kinën, Shqipëria mbeti pa bamirës të jashtëm dhe kushtet ekonomike në vend u përkeqësuan, duke sjellë mungesa kronike të ushqimeve bazë. Hoxha mbajti një kult të fortë personaliteti, të ndërtuar në luftën e klasave dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Më 1976 ai e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë dhe ndaloi ushtrimin e fesë. Pas vdekjes së Hoxhës më 1985, ai u zëvendësua nga trashëgimtari i tij politik Ramiz Alia. Pavarësisht disa reformave të ndërmarra nga Alia, sundimi i tij u trondit pas revolucioneve anti-komuniste në Europën Lindore, veçanërisht pas ekzekutimit të Nicolae Causescu më 1989 në Rumani. Një vit më pas, në dhjetor 1990, pas protestave nga studentët e Universitetit të Tiranës, partia lejoi krijimin e partive të tjera duke hequr dorë nga kontrolli absolut i pushtetit.

Pas gati gjysmë shekulli sundimi komunist të stilit stalinist, Shqipëria mbajti zgjedhjet e para shumëpartiake më 1991. Një vit më vonë, më 22 mars 1992, Partia e Punës e Shqipërisë humbi pushtetin dhe vendi filloi një tranzicion të trazuar drejt demokracisë. Pas rënies së një serie skemash piramidale investimi më 1997, ku një pjesë e madhe e popullsisë humbi kursimet, pasoi një periudhë anarkie dhe vetëm përmes ndihmës së forcave paqëruajtëse të OKB-së të udhëhequra nga Italia, njohur si operacioni Alba, u rikthye rendi dhe ligji. Më 1999, vendi priti gati gjysmë milioni shqiptarë etnikë nga Kosova, të cilët po i shpëtonin përndjekjes etnike nga ana e ish-diktatorit të Serbisë Slobodan Milosheviç.

Përgjatë dy dekadave të fundit që nga rënia e komunizmit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë dominuar jetën politike. Pavarësisht progresit të konsiderueshëm ekonomik dhe shoqëror, tranzicioni nga sundimi autokratik dhe demokracia është penguar nga përplasjet politike, mungesa e dialogut ndërpartiak dhe korrupsionit të gjithëpërhapur në nivelet më të larta të pushtetit. Proceset elektorale kanë qenë gjithashtu problematike dhe të kontestuara, të mbushura me akuza për ndikime të parregullta politike, akuza për blerje votash dhe nuk kanë plotësuar ende standardet e njohura ndërkombëtarisht. Më 2008, Shqipëria u bë vend anëtar i NATO-s dhe që nga qershori 2014 ka qenë kandidat zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Shqipëria ndërtoi një skenë të gjallë mediatike pas rënies së komunizmit, me dhjetëra stacione televizive dhe gazeta; gjithsesi, këto media shpesh mbajnë një linjë editoriale që përputhet me interesat ekonomikë dhe politikë të pronarëve, gjë që shtyn shumë gazetarë drejt vetë-censurës.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  • Funded by
    BMZ