This is an automatically generated PDF version of the online resource albania.mom-gmr.org/en/ retrieved on 2024/09/12 at 10:10
Global Media Registry (GMR) & BIRN ALBANIA - all rights reserved, published under Creative Commons Attribution-NoDerivatives 4.0 International License.
BIRN ALBANIA LOGO
Global Media Registry

Shoqëria

Sipas censusit të fundit të popullsisë të kryer më 2011, popullsia banuese në Shqipëri më 1 tetor 2011 është 2.82 milionë njerëz, një rënie me 8 për qind në krahasim me censusin e mëparshëm të kryer më 2001. Sipas vlerësimit vjetor të popullsisë të publikuar nga INSTAT në janar 2017, 2.87 milionë njerëz jetojnë në Shqipëri. Mosha mesatare është 35 vjeç ndërsa indeksi i moshimit u rrit nga 8 për qind më 2001 në 11 për qind më 2011. Popullsia e Shqipërisë filloi të bjerë që nga vitet 1990, si pasojë e emigrimit masiv pas rënies së regjimit komunist, i cili ndalonte udhëtimin jashtë vendit. INSTAT vlerëson se mes vitit 2001 dhe 2011, më shumë se 500,000 shtetas migruan jashtë vendit në kërkim të punësimit, arsimimit dhe një numër mundësish të tjera. Sipas të dhënave të censusit 2011, raporti natyror në lindje në Shqipëri ishte 107.8 meshkuj për 100 femra, në krahasim me raportin ndërkombëtar 105 meshkuj për 100 femra. Raporti më i lartë i atribuohet aborteve selektive. Sipas një projeksioni popullsie të bërë nga INSTAT duke u mbështetur te të dhënat e censusit 2011, popullsia e Shqipërisë pritet të bjerë më shumë përgjatë dy dekadave të ardhshme, nga 2.86 milionë më 2021 në 2.78 milionë më 2031, për shkak të rënies së mëtejshme në normën e lindshmërisë dhe emigrimit të vazhdueshëm.

Përgjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka përjetuar urbanizim të shpejtë. Kështu, censusi 2011 sugjeron se për herë të parë në historinë e Shqipërisë popullsia urbane u bë më e madhe se sa popullsia rurale. Popullsia banuese në zonat urbane ishte 53.5 për qind ndërsa 46.5 për qind  e popullsisë jetonte në zonat rurale. Shqipëria komuniste investoi shumë në arsim duke sjellë një shkallë alfabetizmi gati 100%. Gjithsesi, censusi i fundit i popullsisë tregon se norma e analfabetizmit në Shqipëri ishte 2.8 për qind mes popullsisë mbi 10 vjeç. Gjysma e analfabetëve janë 75 vjeç ose më shumë. Norma e analfabetizmit është gjithashtu më e lartë mes grave (3.7%) dhe burrave (1.7%). Sipas të dhënave të censusit, 14.9 për qind e popullsisë alfabete ka arsim fillor si niveli më i lartë i arsimit të arritur, 40.9 për qind ka arsim tetëvjeçar dhe 26.4 për qind ka arsim të mesëm, përfshirë arsimin e përgjithshëm ose profesional. Përqindja e popullsisë që ka mbaruar studime universitare ose është aktualisht në universitet apo në studime pasuniversitare është 10.7 për qind e popullsisë (ose 262,369 persona), ndërsa dhjetë vjet më parë, sipas censusit 2001, njerëzit në universitet ose që kishin mbaruar universitetin përbënin 5.5% të popullsisë. Në censusin e vitit 2011, gratë ishin pak më të numërta se sa burrat duke përbërë 51 për qind të popullsisë me nivel arsimor universitar. Në vitin 2001, gratë përbënin 41,1 për qind të popullsisë me diplomë universitare ndërsa burrat ishin 58.8%. Kjo tregon se pas dhjetë vitesh, 10 për qind më shumë gra ndoqën studimet universitare.

Gjuha zyrtare është shqipja dhe konsiderohet si gjuha amësore për 98.76 për qind të popullsisë; gjithsesi, gjuhët e minorancave janë zyrtarisht të përdorura në disa njësi të pushtetit vendor. Sipas të dhënave të censusit, minoritetet përbëjnë vetëm 1.5 për qind të popullsisë. INSTAT vlerëson se popullsia etnike greke tashmë përbën vetëm 0.87 për qind të popullsisë, maqedonët etnikë përbëjnë 0.2 për qind dhe romët 0.3 për qind. Të dhënat e censusit tregojnë se 83.2 për qind e banorëve e deklarojnë veten shqiptarë ndërsa 14.07 për qind refuzojnë t'i përgjigjen pyetjes mbi kombësinë.

Sipas të dhënave të censusit, Islami është religjioni kryesor i Shqipërisë me 56.7 për qind të shqiptarëve të vetëdeklaruar myslimanë, 10.53 për qind si katolikë dhe 6.75 për qind si ortodoksë. Rreth 2.09 për qind u deklaruan myslimanë bektashinj (një urdhër sufi). Edhe 2.5 për qind janë ateistë ndërsa 5.53 për qind janë besimtarë pa denominacion. Megjithëse shumë shqiptarë e identifikojnë veten me një religjion apo një tjetër, praktikat fetare në vend janë të zbehta dhe shumë pak e konsiderojnë religjionin një faktor dominues në jetët e tyre, ku vlerat tradicionale janë ndërtuar rreth familjes e klanit dhe vijojnë të kenë peshë.

Sipas vrojtimit më të fundit të INSTAT mbi papunësinë, në katërmujorin e fundit 2016 norma e papunësisë ishte 14.2% e popullsisë mbi 15 vjeç, ndërsa norma e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë mes 15 dhe 64 vjeç ishte 65.7%.

Gjatë regjimit komunist, media e huaj ishte e ndaluar në Shqipëri; gjithsesi, shumë vijonin të shikonin fshehtazi televizionin publik italian RAI, i cili ishte një lloj dritareje drejt perëndimit dhe luajti një rol jo vetëm në kulturën popullore shqiptare por edhe në skenën mediatike.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  • Funded by
    BMZ