This is an automatically generated PDF version of the online resource albania.mom-gmr.org/en/ retrieved on 2024/09/12 at 10:36
Global Media Registry (GMR) & BIRN ALBANIA - all rights reserved, published under Creative Commons Attribution-NoDerivatives 4.0 International License.
BIRN ALBANIA LOGO
Global Media Registry

Media

Shqipëria ishte vendi më i izoluar në Europën Lindore nën regjimin komunist të ish-diktatorit stalinist Enver Hoxha. Gjatë sundimit pothuajse gjysmëshekullor të Hoxhës, të gjitha mediat ishin nën kontrollin e Partisë së Punës, ndërsa televizionet e huaja zhurmoheshin rregullisht. Pas kolapsit të regjimit më 1991, Shqipëria u bë një republikë parlamentare dhe liria e shtypit u garantua me ligj, ndërsa vendi hyri në një tranzicion të trazuar drejt demokracisë.

Gjatë komunizmit, Shqipëria kishte vetëm një televizion nën pronësi shtetërore dhe dy gazeta të përditshme të kontrolluara rreptësisht nga partia ose sindikatat e lidhura me të. Me rënien e regjimit, media hyri gjithashtu në një proces transformimi, me media të reja opozitare dhe gazeta të pavarura që u hapën krahas televizioneve private. Kjo u pasua me një treg të mbisaturuar me dhjetra gazeta dhe qindra stacione televizive që konkurronin për një pjesë të të ardhurave nga reklamat.

Databaza e Medias

Nuk ka një listë zyrtare të medias së shkruar në vend, por raporte të ndryshme kanë dhënë numrin e gazetave në më shumë se 200. Pavarësisht mungesës të të dhënave zyrtare mbi qarkullimin e shtypit, sipas disa raporteve, gazetat më të shumëshitura në vend kanë tirazhe jo më të mëdha se 20 mijë kopje në ditë, ndërsa shumica e gazetave shet më pak se 1 mijë kopje. Aktualisht ka rreth një duzinë tituj gazetash të përditshme në treg. Ka shumë agjenci shpërndarjeje shtypi, por tre janë kryesore. Njëra prej tyre i përket kompanisë postare nën pronësi shtetërore, ndërsa dy të tjera, të cilat konsiderohen më efikase, i përkasin dy grupeve të rëndësishme të medias, Shekullit dhe Panoramës.

Aktualisht ka 5 stacione radiofonike kombëtare që transmetojnë në Shqipëri dhe 60 radio lokale. Tre nga pesë stacionet kombëtare, Radio Tirana, Radio Tirana 2 dhe Radio Tirana 3 janë nën pronësi publike ndërsa dy të tjerat, Top Albania Radio dhe Club FM, janë stacione radiofonike private komerciale. Numri i radiove rajonale përfshin katër stacione që ritransmetojnë radio të huaja: Radio BBC, Radio RFI, Radio World Family, Radio China International, CRI. Në këtë listë janë përfshirë edhe katër radio komunitare të lidhura me organizata fetare: Radio Spektrum/Komuniteti Mysliman; Radio Dodona/Urdhri Bektashi; Radio Maria/Fondacioni Radio Maria dhe Radio Ngjallja/Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Në Shqipëri janë aktualisht gjashtë transmetues kombëtarë televizivë dhe 56 stacione televizive vendore. Kalimi te teknologjia dixhitale dhe shpërndarja e shtatë licencave numerike tokësore u plotësua më 2017 nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA. Dy nga frekuencat iu dhanë transmetuesit publik RTSH, i cili do të hostojë edhe transmetuesit rajonalë, ndërsa pesë licenca të tjera u shpërndanë te transmetuesit kombëtarë komercialë, Top Channel, Klan TV, DigitAlb, Media Vizion dhe një e pestë iu dha kompanisë së sapokrijuar ADTN. Sipas AMA, deri më 30 janar 2016, në Shqipëri kishte edhe 111 rrjete kabllore, tre platforma numerike me pagesë,  3 IPTV, 8 OTT dhe 6 ofrues në internet. Gjithashtu, ka edhe dy rrjete transmetuese satelitore, DigitAlb dhe Tring.

Sipas vrojtimeve, televizionet janë burimi kryesor i informimit të publikut, pasuar nga interneti, shtypi dhe radiot. Media në internet ka pësuar rritje të shpejtë përgjatë viteve të fundit, me qindra portale lajmesh dhe agregatorë lajmesh të hapura. Sipas kreut të Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, një OJF me bazë në Tiranë, më 2017 kishte më shumë se 650 portale lajmesh të regjistruara, 72 prej të cilave drejtohen nga gazetarë. Gjithsesi, shumica e medias në internet, me pak përjashtime, nuk kanë burimet financiare dhe shumica dërrmuese ripublikon lajme nga media konvencionale komerciale.

Sipas të dhënave të IDRA Media, reklamat në tregun e shtypit nga janari në nëntor 2017 kapte vlerën 361.8 milionë lekë (2.7 milionë euro), ndërsa tregu online ishte 3.08 milionë euro, radiot 420.8 milionë lekë (3.2 milionë euro). IDRA Media vlerësoi se më 2015, tregu i reklamave televizive ishte 33 milionë euro. Gjithsesi, ky treg është i dominuar nga një grusht reklamuesish të mëdhenj, kryesisht kompani telekomunikacioni, të cilat me lehtësi shtrembërojnë politikën editoriale.

Shqipëria u rendit në vendin e 76 nga 180 vende në raportin e organizatës Reporterë pa Kufij "Indeksi i Lirisë së Shtypit" për vitin 2017. Kjo përfaqëson një rënie të konsiderueshme që nga viti 2003, kur Shqipëria renditej në vend të 34 dhe ishte performuesja më e mirë në Ballkanin Perëndimor.  Ndërkohë, raporti Liria e Medias publikuar nga Freedom House, e rendit median e Shqipërisë si pjesërisht të lirë. Pavarësisht problemeve të saj, media në Shqipëri u rendit në një vrojtim nga 84% e pjesëmarrësve mes tre institucioneve kryesore që hetojnë dhe raportojnë dhunimet e ligjeve nga zyrtarët e lartë.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  • Funded by
    BMZ