Top Albania Radio
"Top Albania Radio" është një ndër radiot kryesore në Shqipëri dhe pjesë e grupit më të madh mediatik në vend, "Top Media". Ajo i nisi zyrtarisht transmetimet më 14 shkurt 1998, në frekuencën 100 mgh/fm, dhe brenda një kohe të shkurtër arriti të kryesonte tregun radiofonik në shifrat e audiencës. "Top Albania Radio" ishte media e parë e themeluar nga Dritan Hoxha, i cili në këtë projekt ishte ortak me biznesmenin kontrovers Vajdin Lamaj. Në vitin 2000, "Top Albania Radio" u pajis me licensë për radio kombëtare dhe prej asaj kohe, sinjali i saj mbulonte 95% të territorit të Shqipërisë. Me një staf përgjithësisht të ri në moshë, "Top Albania Radio" u kthye në trampolinë për karrierat e shumë personazheve, të cilët bënë më pas sukses si moderatorë në televizion. Emisionet më të ndjekura ishin “Good Morning Albania”, “Një këngë për ty” apo “Disco Lancio”, të cilat vazhdojnë të transmetohen edhe sot. Prej vitit 2002, Top Albania Radio zgjeroi përkrah muzikës bashkohore edhe hapësirën e informacionit, duke transmetuar deri në 19 edicione lajmesh në ditë
Pjesa e audiencës
33.55%
Lloj pronësie
private
Mbulimi gjeografik
Kombëtare
Llloji përmbajtjes
Pa pagesë
Kompani/Grupe mediatike
Top Media
Struktura e pronësisë
Top Albania Radio është në pronësi të kompanisë “Top Albania” sh.a, e cila zotërohet në 80 % të aksioneve nga familja Hoxha dhe 20 për qind të aksioneve nga Zhuljeta Lamaj.
Të drejta votimi
Vetëm aksionerët kanë të drejtën e votës.
Pronar indvidual
Informacion i përgjithshëm
Viti themelimit
1998
Interesat e lidhur të themeluesit
Dritan Hoxha, Vajdin Lamaj - "Top Albania Radio" i nisi transmetimet në shkurt 1998, si një debutim në tregun mediatik i dy biznesmenëve kontroversë, Dritan Hoxha dhe Vajdin Lamaj. Hoxha e nisi karrierën në biznes në mesin e viteve ’90 si importues kafeje, ndërkohë që Vajdin Lamaj kishte qenë drejtues policie dhe president i Federatës së Boksit, ndërsa paralelisht ngriti disa kompani biznesi në Tiranë në fushën e transporteve dhe të shërbimeve. Kompania që do të merrte në pronësi "Top Albania Radio" u themelua megjithatë dy vjet më vonë dhe jo në emër të themeluesve. Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Bizneseve tregojnë se kompania “Top Albania” sh.a u regjistrua më 16 maj 2000 me aksionerë Vjollca Hoxha (40%), Zhuljeta Lamaj (40%) dhe Zyhra Hamiti (20%). Vjollca Hoxha dhe Zyhra Hamiti ishin respektivisht bashkëshortja dhe nëna e Dritan Hoxhës, ndërkohë që Zhuljeta Lamaj ishte bashkëshortja e Vajdin Lamajt.
Të dy themeluesit e "Top Albania Radio" janë ndarë nga jeta në rrethana dramatike. Vajdin Lamaj u vra më 28 shkurt 2005 si pasojë e një atentati të bujshëm me eksploziv në Tiranë, vetëm pak kohë pasi i kishte shpëtuar një tjetër sulmi të armatosur. Autorët e këtij krimi nuk janë zbuluar ende. Ndërsa Dritan Hoxha humbi jetën më 23 maj 2008 si pasojë e një aksidenti automobilistik në qendër të Tiranës.
Pas vdekjes së dy themeluesve, kompania “Top Albania” sh.a vazhdoi të ishte në pronësinë e bashkëshorteve të tyre dhe Zyhra Hamitit, por raportet e aksioneve ndryshuan. Më 29 Janar 2010, Zhuljeta Lamaj i shiti 20% të aksioneve te Zyhra Hamiti me një vlerë prej 750 mijë eurosh. Ndërsa në shtator 2015, aksionet e Hamitit i kaluan me dëshmi trashëgimie mbesave Lorela, Sara, Redia dhe nipit Itan. "Top Albania Radio" zotërohet sot në 80% të aksioneve nga familja Hoxha dhe 20% nga Zhuljeta Lamaj.
Interesat e lidhur të administratorit
Erion Ylli - u emërua administrator i kompanisë “Top Albania” sh.a më 18 janar 2016, duke zëvendësuar në këtë post drejtorin jetëgjatë të grupit mediatik "Top Media", Enkelejdi Joti. Njëkohësisht, Ylli mban edhe postin e zv.drejtorit të Përgjithshëm të televizionit "Top Channel". Prej dhjetorit 2015, Erion Ylli është gjithashtu aksioner me 20% të aksioneve në kompaninë e prodhimit të naftës bruto “Recovered Earth Albania” sh.a.
Interesat e lidhur të kryeredaktorit
Të dhënat mungojnë
Interesat e lidhura të njerëzve të rëndësishëm
Ornela Pango - është anëtare e Këshillit Mbikqyrës të kompanisë “Top Albania” sh.a.
Xhejnsila Hako - është juriste dhe anëtare e Këshillit Mbikqyrës të kompanisë “Top Albania” sh.a.
Ardiana Peposhi - është anëtare e Këshillit Mbikqyrës në kompaninë “Top Albania” sh.a.
Kontakt
Qendra Ndërkombëtare e Kultures, Blv "Deshmoret e Kombit“, Tirana
Tel: +35542247492
Website: www.topalbaniaradio.com/v7/
Të dhëna financiare
Të ardhura (in Mil. USD)
Të dhënat mungojnë
Fitim operativ (në Mil. USD)
Të dhënat mungojnë
Reklamat (si % e financimit total)
Të dhënat mungojnë
Pjesa e tregut
Të dhënat mungojnë
Më shumë informacion
Vjollca Hoxha, pronare e vetme e Top Channel, Gjykata e Apelit njeh aksionet e televizionit (2017), Politiko.al, Aksesuar me 19 janar 2018
Meta Data
Struktura e pronësisë dhe bilancet financiare janë publikisht të pranishme në Qendrën Kombëtare të Bizneseve në Shqipëri. Të dhënat financiare të siguruara i përkasin vitit 2016. Për të konvertuar shumat në dollarë u përdor kursi mesatar i këmbimit i Bankës Qendrore për vitin 2016. Për më shumë, shikoni burimet.