TOP Channel
Televizioni kombëtar Top Channel i nisi transmetimet në Dhjetor 2001 nën drejtimin e Dritan Hoxhës, i cili ishte në atë kohë administrator dhe ortak i vetëm i kompanisë “Top Channel” sh.p.k. Që në zanafillë, televizioni mblodhi rreth vetes një staf të talentuar gazetarësh, që bashkë me teknologjinë e avancuar arritën ta kthenin atë brenda një kohe të shkurtër në ekranin kryesor të vendit. Në vitin 2003, Top Channel arriti të mbulonte me sinjal të gjithë territorin shqiptar, ndërsa në fund të vitit 2004 transmetonte edhe në Europë përmes platformës "DigitAlb", e themeluar gjithashtu nga Hoxha. Që në vitet e para të operimit, "Top Channel" eksperimentoi në Shqipëri programe të patentave ndërkombëtare, të tilla si “Big Brother” apo “The Voice”. Ndërsa varieteja e humorit “Portokalli” apo emisioni satirik investigativ “Fiks Fare” fituan edhe më tej popullaritet, duke u përhapur më pas në forma të ngjashme edhe në stacionet konkurrente. Në vitin 2007, "Top Channel" ishte televizioni më i rëndësishëm në vend, por themeluesi i tij vendosi të zgjeronte bazën e aksionerëve dhe të shiste 60% të aksioneve. Dokumentet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve tregojnë se Dritan Hoxha i shiti 40% të aksioneve Albert Sinos dhe 20% të tjera Aurel Baçit, për një çmim total prej 315.2 milionë lekësh [2.6 milionë USD]. Marrëveshja e shitjes së aksioneve në 2007 u kthye në një konflikt gjyqësor disa vite pas vdekjes aksidentale të Dritan Hoxhës, pasi bashkëshortja e tij, Vjollca Hoxha pretendoi në gjykatë se kontrata e shitjes kishte qenë fiktive dhe ishte nënshkruar në mungesë të miratimit të saj. Saga gjyqësore u mbyll në qershor 2017 në Gjykatën e Apelit të Tiranës me njohjen e anëtarëve të familjes Hoxha si pronarë të vetëm të televizionit. Me një histori 16 vjeçare në tregun mediatik shqiptar dhe përplasjet e hershme publike të themeluesit të saj, Dritan Hoxha, me ish-kryeministrin Sali Berisha, "Top Channel" krijoi perceptimin e një televizioni të afërt me kryeministrin aktual, Edi Rama. Por muajt e fundit, televizioni ka nisur një fushatë kritikash ndaj qeverisë së Ramës, duke shënuar një kthesë të fortë editoriale që prej kohës së themelimit.
Pjesa e audiencës
9.06% Telemetrix / 16.15% Abacus
Lloj pronësie
Private
Mbulimi gjeografik
Kombëtare
Llloji përmbajtjes
Pa pagesë (dixhital)
Kompani/Grupe mediatike
Top Media
Struktura e pronësisë
Televizioni "Top Channel" është në pronësinë e kompanisë aksionere "Top Channel" sh.a, e cila zotërohet në 100% të aksioneve nga Vjollca Hoxha dhe katër fëmijët e saj, Lorela, Sara, Redia dhe Itan. "Top Channel" sh.a zotëron 4.42% të aksioneve në kompaninë e telekomunikacionit "Hightel Tower Albania sh.a".
Të drejta votimi
Vetëm aksionerët kanë të drejtën e votës.
Pronar indvidual
Informacion i përgjithshëm
Viti themelimit
2001
Interesat e lidhur të themeluesit
Dritan Hoxha - e nisi karrierën në biznes si një importues kafeje, por ishte investimi në media që e bëri atë të njohur dhe i dha famën e një “pionieri të teknologjisë dixhitale” në hapësirën e jetuar nga shqiptarët. Në vitin 1998, ai themeloi "Top Albania Radio" dhe tre vjet më pas, televizionin "Top Channel", i cili falë teknologjisë moderne dhe stafit të njohur të gazetarëve u kthye në një kohë të shkurtër në ekranin kryesor të vendit. Në vitin 2004, Hoxha hodhi në treg platformën me pagesë "DigitAlb", duke e fuqizuar edhe më tej grupin e tij të ri mediatik "Top Media". Hoxha ndërroi jetë më 23 maj 2008, në moshën 40-vjeçare, pas një aksidenti automobilistik me makinën e tij Ferrari 599. Autoritetet më të larta shtetërore, përfshirë ish-presidentin Bamir Topi dhe ish-kreun e opozitës, Edi Rama morën pjesë në funeralin e tij. Përplasjet publike të Dritan Hoxhës me ish-kryeministrin Sali Berisha për licensat satelitore dhe publikimi i disa skandaleve të qeverisë së tij [2005-2013], bënë që "Top Channel" të perceptohej si një televizion i afërt me ish-liderin e opozitës dhe kryeministrin e sotëm, Edi Rama. Por muajt e fundit, televizioni ka nisur një fushatë kritikash ndaj qeverisë së Ramës, duke shënuar një kthesë të fortë editoriale pas pothuajse dy dekadash.
Interesat e lidhur të administratorit
Vjollca Hoxha - Pas vdekjes së Dritan Hoxhës në vitin 2008, aksionet e kompanive të themeluara prej tij u trashëguan nga bashkëshortja Vjollca Hoxha dhe katër fëmijët e tyre. Megjithatë, Vjollca Hoxha ruajti një profil të ulët publik deri në vitin 2015, kur mori administrimin e kompanisë "Top Channel" sh.a dhe nisi një fushatë gjyqësore kundër dy aksionerëve të shumicës, Albert Sino dhe Aurel Baçi. Më 28 qershor 2017, Hoxha e fitoi çështjen në Gjykatën e Apelit duke marrë nën kontroll së bashku me fëmijët e saj 100% të aksioneve të "Top Channel" sh.a. Përveç televizionit, familja Hoxha zotëron paketën kontrolluese të aksioneve të platformës me pagesë "DigitAlb", radion "Top Albania", shtëpinë botuese "Saras", kompaninë e prodhimeve muzikore "My Music", si dhe 49% të aksioneve në kompaninë e tregtimit të kafesë "Valtelina". Vetë "Top Channel" sh.a zotëron 4.42% të aksioneve në kompaninë "Hightel Towers Albania" në ortakëri me konkurrentin "TV Klan" dhe biznesmenin Samir Mane.
Interesat e lidhur të kryeredaktorit
Endri Xhafo – është gazetar dhe moderator i programeve politike. Që nga nëntori 2017, ai është kryeredaktor i përkohshëm i lajmeve në "Top Channel". I diplomuar për gazetari në vitin 1998, Endri Xhafo ka punuar si gazetar dhe moderator i emisioneve politike në disa media të vendit. Prej nëntorit 2017, ai mban postin e drejtorit të përkohshëm të informacionit në "Top-Channel". Ngjitja e Xhafos në krye të informacionit në "Top Channel" i atribuohet ndryshimit të menjëhershëm të politikës editoriale të televizionit, ç’ka u pasua me largimin e Sokol Ballës, një tjetër gazetar i njohur, nga postet e tij drejtuese.
Interesat e lidhura të njerëzve të rëndësishëm
Ben Blushi - është politikan, shkrimtar dhe gazetar i njohur në Shqipëri. Gjatë viteve 90, Blushi mbante postin e kryeredaktorit të gazetës "Koha Jonë". Në vitin 2000, ai nisi karrierën e tij në politikë duke iu bashkuar kabinetit të ish-kryeministrit socialist, Fatos Nano, fillimisht si prefekt i Korçës dhe më pas si Ministër i Arsimit apo Ministër i Pushtetit Lokal. Në vitin 2005, kur Edi Rama mori drejtimin e Partisë Socialiste, Blushi ishte mes mbështetësve. Më vonë, Blushi u bë kundërshtari kryesor i Ramës brenda Partisë Socialiste. Në vitin 2016, ai u largua nga Partia Socialiste dhe krijoi lëvizjen LIBRA, por në testin e parë elektoral LIBRA dështoi të zgjidhte deputetë. Më 20 Janar 2018, Blushi dha dorëheqjen nga politika për t’u rikthyer në media. Një javë më pas, ai u emërua Drejtor i Përgjithshëm i televizionit "Top Channel".
Filip Çakuli është anëtar i Këshillit Mbikqyrës të kompanisë "Top Channel" sh.a dhe drejtues i emisionit satirik investigative "Fiks Fare".
Ledion Liço është anëtar i Këshillit Mbikqyrës të kompanisë "Top Channel" sh.a dhe moderator televiziv. Ai është gjithashtu i martuar me Sara Hoxhën.
Kontakt
Top Channel, "17 Nentor", 20 Mezez Koder;
Komuna Kashar, Tirana;
Tel.: +355692080500
Faqja e internetit: top-channel.tv
Të dhëna financiare
Të ardhura (in Mil. USD)
12.4 Mio $ / 1.59 Bn Lek
Fitim operativ (në Mil. USD)
0.009 Mio. $ / 1.1 Mio Lek
Reklamat (si % e financimit total)
Të dhënat mungojnë
Pjesa e tregut
39.0%
Më shumë informacion
Meta Data
Struktura e pronësisë dhe bilancet financiare janë publikisht të pranishme në Qendrën Kombëtare të Bizneseve në Shqipëri. Të dhënat financiare të siguruara i përkasin vitit 2016. Për të konvertuar shumat në dollarë u përdor kursi mesatar i këmbimit i Bankës Qendrore për vitin 2016. Për vlerësimin e aseteve dhe të ardhurave të kompanisë në tregun e medias, MOM ka llogaritur vlerën e aseteve, të ardhurave dhe përfitimeve për 8 kompani/grupe televizive që trasmetojnë falas. Kompanitë e përfshira në përllogaritje janë si më poshtë: Top Channel, Klan, Media Vizion, Multiscreen, Focus Media News, ABC News, Ora News dhe Scan. Kjo llogaritje nuk përfshin kompanitë me pagesë si DigitAlb dhe Tring TV dhe po ashtu as televizionin publik RTSH. Të dhënat për audiencën për televizonet kryesore u morën nga "Abacus Research" dhe "Telemetrix" për vitin 2017. Të dhënat janë kontradiktore dhe për këtë arsye të dy treguesit e audiencës janë përfshirë. Top Channel iu përgjigj kërkesës për informacion të bërë nga ekipi i MOM më 29 Dhjetor 2017. Për më shumë, shikoni burimet.