Top News
"Top News" është stacion televiziv i formatit 24 orë lajme në ditë, pjesë e grupit mediatik më të madh në vend, "Top Media". Ai transmetohet përmes platformës numerike me pagesë, "Digitalb". Me mbulimin e lajmeve politike dhe ekonomike, por edhe me fokus te zhvillimet në rajon, "Top News" ka fituar popullaritet mes shqiptarëve që jetojnë në Kosovë dhe Maqedoni. Ndonëse transmetohet në platformën "DigitAlb" dhe njihet gjerësisht si pjesë e saj, "Top News" nuk është pronë e kompanisë "Digit-Alb" sh.a. Drejtuesit e kësaj kompanie iu përgjigjën një kërkese për informacionit të ekipit të MOM më 29 Janar 2018, duke deklaruar se “kanali është në pronësi të kompanisë Top Channel sh.a”.
Pjesa e audiencës
0.98% Telemetrix / 0.06% Abacus
Lloj pronësie
Private
Mbulimi gjeografik
Lokale
Llloji përmbajtjes
Me pagesë
Kompani/Grupe mediatike
Top Media
Struktura e pronësisë
"Top News" është pjesë e platformës me pagesë "DigitAlb" dhe në pronësinë e kompanisë "Top Channel" sh.a.
Të drejta votimi
Vetëm aksionerët e kompanisë kanë të drejtën e votës.
Pronar indvidual
Informacion i përgjithshëm
Viti themelimit
Të dhënat mungojnë
Interesat e lidhur të themeluesit
Dritan Hoxha - e nisi karrierën në biznes si një importues kafeje, por ishte investimi në media që e bëri atë të njohur dhe i dha famën e një “pionieri të teknologjisë dixhitale” në hapësirën e jetuar nga shqiptarët. Në vitin 1998, ai themeloi "Top Albania Radio" dhe tre vjet më pas, televizionin "Top Channel", i cili falë teknologjisë moderne dhe stafit të njohur të gazetarëve u kthye në një kohë të shkurtër në ekranin kryesor të vendit. Në vitin 2004, Hoxha hodhi në treg platformën me pagesë "DigitAlb", duke e fuqizuar edhe më tej grupin e tij të ri mediatik "Top Media". Hoxha ndërroi jetë më 23 maj 2008, në moshën 40-vjeçare, pas një aksidenti automobilistik me makinën e tij Ferrari 599. Autoritetet më të larta shtetërore, përfshirë ish-presidentin Bamir Topi dhe ish-kreun e opozitës, Edi Rama morën pjesë në funeralin e tij. Përplasjet publike të Dritan Hoxhës me ish-kryeministrin Sali Berisha për licensat satelitore dhe publikimi i disa skandaleve të qeverisë së tij [2005-2013], bënë që "Top Channel" të perceptohej si një televizion i afërt me ish-liderin e opozitës dhe kryeministrin e sotëm, Edi Rama. Por muajt e fundit, televizioni ka nisur një fushatë kritikash ndaj qeverisë së Ramës, duke shënuar një kthesë të fortë editoriale pas pothuajse dy dekadash.
Interesat e lidhur të administratorit
Vjollca Hoxha - Pas vdekjes së Dritan Hoxhës në vitin 2008, aksionet e kompanive të themeluara prej tij u trashëguan nga bashkëshortja Vjollca Hoxha dhe katër fëmijët e tyre. Megjithatë, Vjollca Hoxha ruajti një profil të ulët publik deri në vitin 2015, kur mori administrimin e kompanisë "Top Channel" sh.a dhe nisi një fushatë gjyqësore kundër dy aksionerëve të shumicës, Albert Sino dhe Aurel Baçi. Më 28 qershor 2017, Hoxha e fitoi çështjen në Gjykatën e Apelit duke marrë nën kontroll së bashku me fëmijët e saj 100% të aksioneve të "Top Channel" sh.a. Përveç televizionit, familja Hoxha zotëron paketën kontrolluese të aksioneve të platformës me pagesë "DigitAlb", radion "Top Albania", shtëpinë botuese "Saras", kompaninë e prodhimeve muzikore "My Music", si dhe 49% të aksioneve në kompaninë e tregtimit të kafesë "Valtelina". Vetë "Top Channel" sh.a zotëron 4.42% të aksioneve në kompaninë "Hightel Towers Albania" në ortakëri me konkurrentin "TV Klan" dhe biznesmenin Samir Mane.
Interesat e lidhur të kryeredaktorit
Elert Yzeiri - është kryeredaktor i televizionit informativ "Top News" si dhe i faqes në internet të televizionit "Top Channel". Ai e ka filluar karrierën e tij si gazetar sportiv dhe ka punuar më parë për të përditshmen “Shqip”. Ai njihet gjithashtu si komentator i ngjarjeve sportive dhe i garave të “Formula 1”.
Interesat e lidhura të njerëzve të rëndësishëm
Ben Blushi - është politikan, shkrimtar dhe gazetar i njohur në Shqipëri. Gjatë viteve 90, Blushi mbante postin e kryeredaktorit të gazetës "Koha Jonë". Në vitin 2000, ai nisi karrierën e tij në politikë duke iu bashkuar kabinetit të ish-kryeministrit socialist, Fatos Nano, fillimisht si prefekt i Korçës dhe më pas si Ministër i Arsimit apo Ministër i Pushtetit Lokal. Në vitin 2005, kur Edi Rama mori drejtimin e Partisë Socialiste, Blushi ishte mes mbështetësve. Më vonë, Blushi u bë kundërshtari kryesor i Ramës brenda Partisë Socialiste. Në vitin 2016, ai u largua nga Partia Socialiste dhe krijoi lëvizjen LIBRA, por në testin e parë elektoral LIBRA dështoi të zgjidhte deputetë. Më 20 Janar 2018, Blushi dha dorëheqjen nga politika për t’u rikthyer në media. Një javë më pas, ai u emërua Drejtor i Përgjithshëm i televizionit "Top Channel".
Filip Çakuli është anëtar i Këshillit Mbikqyrës të kompanisë "Top Channel" sh.a dhe drejtues i emisionit satirik investigative "Fiks Fare".
Ledion Liço është anëtar i Këshillit Mbikqyrës të kompanisë "Top Channel" sh.a dhe moderator televiziv. Ai është gjithashtu i martuar me Sara Hoxhën.
Kontakt
Rruga “17 Nentori”, Nr. 20, Mezez Koder, Komuna Kashar, Tirana
Tel: +355 042253177
Faqja e Facebook: www.facebook.com/pg/topnewstvalbania/about/
Të dhëna financiare
Të ardhura (in Mil. USD)
Të dhënat mungojnë
Fitim operativ (në Mil. USD)
Të dhënat mungojnë
Reklamat (si % e financimit total)
Të dhënat mungojnë
Pjesa e tregut
Të dhënat mungojnë
Më shumë informacion
Meta Data
Struktura e pronësisë dhe bilancet financiare janë publikisht të pranishme në Qendrën Kombëtare të Bizneseve në Shqipëri. Të dhënat financiare të siguruara i përkasin vitit 2016. Për të konvertuar shumat në dollarë u përdor kursi mesatar i këmbimit i Bankës Qendrore për vitin 2016. Për vlerësimin e aseteve dhe të ardhurave të kompanisë në tregun e medias, MOM ka llogaritur vlerën e aseteve, të ardhurave dhe përfitimeve për 8 kompani/grupe televizive që trasmetojnë falas. Kompanitë e përfshira në përllogaritje janë si më poshtë: Top Channel, Klan, Media Vizion, Multiscreen, Focus Media News, ABC News, Ora News dhe Scan. Kjo llogaritje nuk përfshin ko+Y7mpanitë me pagesë si DigitAlb dhe Tring TV dhe po ashtu as televizionin publik RTSH. Të dhënat për audiencën për televizonet kryesore u morën nga "Abacus Research" dhe "Telemetrix" për vitin 2017. Të dhënat janë kontradiktore dhe për këtë arsye të dy treguesit e audiencës janë përfshirë. Për më shumë, shikoni burimet.