This is an automatically generated PDF version of the online resource albania.mom-gmr.org/en/ retrieved on 2024/09/12 at 11:28
Global Media Registry (GMR) & BIRN ALBANIA - all rights reserved, published under Creative Commons Attribution-NoDerivatives 4.0 International License.
BIRN ALBANIA LOGO
Global Media Registry

Shtypi

Gjatë sundimit gjysmëshekullor komunist të Shqipërisë, nga viti 1945 deri më 1991, shtypi ishte rreptësisht i kontrolluar nga partia në pushtet dhe sindikatat e lidhura me të. Në këtë periudhë, publikoheshin 8 gazeta kombëtare dhe 27 rajonale. Publikimet kryesore ishin gazetat e përditshme "Zëri i Popullit" dhe "Bashkimi", të cilat publikoheshin gjashtë ditë në javë. "Zëri i Popullit" ishte gazeta zyrtare e Partisë së Punës së Shqipërisë, ndërsa "Bashkimi" ishte publikimi zyrtar i Bashkimeve Profesionale (Sindikatat). Shumica e këtyre publikimeve u rrëzuan me kolapsin e regjimit me komunist më 1991, kur kufizimet në lirinë e shprehjes u hoqën dhe strukturat e pushtetit që mbështesnin kufizimet u rrëzuan.

Gazeta e parë që u krijua pas instalimit të qeverisjes pluraliste ishte "Rilindja Demokratike", me numrin e parë të botuar më 5 janar 1991, si gazeta zyrtare e të sapokrijuarës Parti Demokratike në opozitë. Gazeta e parë e pavarur "Koha Jonë" pasoi shpejt, më 11 maj 1991, themeluar nga një gazetar, Nikoll Lesi.

Nuk ka listë zyrtare të organeve të shtypit në vend, por raporte të ndryshme e kanë vënë numrin e mediave në më shumë se 200. Pavarësisht mungesës të të dhënave zyrtare mbi qarkullimin e shtypit, sipas disa raporteve, gazetat më të shumëshitura në vend kanë tirazhe jo më të mëdha se 20 mijë kopje në ditë, ndërsa shumica e gazetave shet më pak se 1 mijë kopje. Sipas të dhënave të ofruara nga IDRA media, aktualisht ka 18 gazeta të përditshme në treg. Gjithashtu, ka shumë agjenci të shpërndarjes së medias por tre janë kryesore. Njëra prej tyre i përket kompanisë shtetërore të postës 'Posta Shqiptare', ndërsa dy të tjera, të konsideruara si më efikase, i përkasin dy grupeve kryesore të medias së shtypur, "Shekulli" dhe "Panorama". Gjithsesi, edhe këto rrjete nuk mbulojnë vendin në tërësi, por vetëm zonat urbane.

Sipas të dhënave të IDRA Media, reklama në tregun e shtypit nga janari në nëntor 2017 ishte 361.8 milionë lekë (2.7 milionë euro). Tregu i shtypit ka vuajtur humbje të mëdha të lexuesve dhe reklamuesve përgjatë viteve të fundit, kryesisht për shkak të shfaqjes së medias online dhe kanaleve televizive informative 24-orëshe. Kriza ekonomike që goditi vendin pas vitit 2008 dhe rritja e konkurrencës nga interneti, solli mbylljen e disa gazetave, ndërsa të tjera kanë migruar online ose kanë shkurtuar stafet. Shumica e medias së shtypur ka prani në internet. Gazetat kombëtare si "Tema", "Panorama" dhe "Shekulli" konsiderohen se kanë edhe faqet e internetit më popullore.

Gazetat e përzjedhura si pjesë e këtij studimi bazohet në të dhënat e qarkullimit dhe lexueshmërisë të ofruara nga Abacus Media Audience Research. 

Databaza e Gazetave
  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  • Funded by
    BMZ