Radio
Radio ka qenë një burim i rëndësishëm informacioni për shqiptarët gjatë shekullit të njëzetë; gjithsesi, ndikimi i saj ka rënë pas kolapsit të regjimit komunist më 1991 - rënie që hoqi kufizimet mbi pronësinë e medias, ndërsa përparimet teknologjike të tilla si interneti dhe televizioni dixhital ia gërryen tregun. Transmetuesi publik Radio Tirana u themelua më 1938 dhe lulëzoi si medium propagande gjatë regjimit komunist, nga viti 1945 deri më 1991.
Në Shqipëri, ka aktualisht 5 stacione radiofonike kombëtare dhe 60 radio rajonale. Tre nga pesë stacionet kombëtare, Radio Tirana, Radio Tirana 2 dhe Radio Tirana 3 janë publike, ndërsa dy të tjerat, Top Albania Radio dhe Club FM, janë stacione radiofonike private komerciale. Numri i stacioneve radiofonike vendore përfshin 4 stacione që ritransmetojnë radio të huaja: Radio BBC, Radio RFI, Radio World Family dhe Radio China International, CRI. Në këtë listë janë përfshirë edhe katër radio komunitare të lidhura me organizatat fetare: Radio Spektrum/Komuniteti Mysliman; Radio Dodona/ Urdhri Bektashi; Radio Maria/Fondacioni Radio Maria dhe Radio Ngjallja/Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë. Sipas të dhënave të ofruara nga IDRA Media, tregu i reklamave për radion nga Janari në Nëntor 2017 ishte 430.8 milionë lekë (3.2 milionë euro).
Shumica e stacioneve radiofonike, përveç transmetuesit publik Radio Tirana, transmetojnë kryesisht muzikë dhe vetëm lajme të shkurtra në orë të ndryshme të ditës. Disa radio janë pjesë e grupeve mediatike që operojnë stacione televizive informative 24 orëshe, duke ritransmetuar këto televiziove gjatë ditës ose kanë një kombinim të lajmeve televizive me muzikë.
Kampioni me 10 stacione radioje të zgjedhura për këtë studim u mbështet në tre faktorë bazë: të dhëna mbi pjesën e tregut të publikuara nga Autoriteti i Medias Audiovizive, AMA, të dhënat e audiencës së dëgjueshmërisë së radios të dhëna nga Abacus Research, si dhe mbi faktin që radiot në fjalë transmetojnë edicione informative.