Pronësia e Medias
Mediat në Shqipëri janë më së shumti nën pronësi private, me përjashtim të transmetuesit publikë RTSH. Shumica e mediave janë nën pronësinë e një grushti familjesh të fuqishme, ndërsa pjesa tjetër është e lidhur ngushtë me biznesmenë që operojnë në tregje të rregulluara, më së shumti në ndërtim dhe zhvillim pronash të patundëshme, në arsimin e lartë, banka dhe lojërat e fatit. Përqendrimi i audiencës në shtyp, televizione dhe gazeta varion nga mesatar në i lartë; gjithsesi, të dhënat e audiencës të ofruara nga dy agjencitë kryesore Abacus dhe Telemetrix janë konfliktuale dhe të debatuara nga aktorët e tregut - gjë që përkthehet në tregues rreziku të lartë për përqendrim.
Kur vjen puna te shtypi, rezultatet e llogaritjes së audiencës bazuar në të dhënat e agjencisë Abacus tregojnë se rreziku për përqendrimin e audiencës brenda tregut të shtypit është mesatar, ku katër lojtarët e mëdhenj arrijnë një audiencë prej 43.29%.
Në median elektronike, përqendrimi i pronësisë është më i lartë se sa në shtyp, ku të dhënat e dy agjencive kërkimore të vendit, Abacus dhe Telemetrix, sugjerojnë se përqendrimi është mesatar ose i lartë. Sipas të dhënave të Abacus, tregu i televizioneve ka përqendrim të mesëm ku katër pronarët e mëdhenj arrijnë në 48.47% të audiences, ndërsa sipas të dhënave të Telemetrix, përqendrimi është i lartë në tregun e televizioneve, ku katër pronarët e mëdhenj arrijnë 58.60% të audiencës.
Të dhënat e audiencës nga Abacus tregojnë se rreziku i përqendrimit të audiencës brenda tregut të radios në Shqipëri është i lartë ku katër lojtarët e mëdhenj arrijnë një audiencë prej së paku 63.96% vetëm me stacionet që kanë përmbajtje informative.
Për shumë vite, miti mbi median shqiptare ka qenë që pavarësisht problemeve, shumë media konkurronin në një treg të vogël dhe kjo garantonte pluralizëm të mendimeve të lexuesit dhe audiencës vendëse. Gjithsesi, kërkimi i MOM tregon se pavarësisht numrit të madh të mediave, vetëm një grup i vogël pronarësh komandojnë vëmendjen e audiencës, në shtyp, televizion dhe radio - gjë që përbën rrezik të lartë për pluralizmin e medias. Shumica e këtyre pronarëve me ndikim kanë interesa të lidhura në fusha biznesi shumë të rregulluara, të tilla si ndërtimi, nafta, lojërat e fatit, arsimi i lartë privat apo bankë, gjë që i bën ato të dyshimtë për presion nga elitat në pushtet dhe që shpesh ndikon në linjën editoriale të mediave që ata kontrollojnë. Ndikim i tillë i papërshtatshëm mbi mediat, i cili ndryshon sipas interesave politikë dhe ekonomikë të pronarëve, shtyn shumë gazetarë të përdorin vetëcensurën, duke i kthyer mediat në rrjete të shpërndarjes së propagandës së qeverisë dhe fushatave të disinformimit.