Familja Hoxha
Familja Hoxha kontrollon grupin më të madh mediatik në Shqipëri, "Top Media", i cili përbëhet nga televizionet "Top Channel" dhe "Top News", "Top Albania Radio", distributori me pagesë "DigitAlb" si dhe disa kompani të tjera. "Top Media" u themelua nga Dritan Hoxha, fillimisht një biznesmen kontrovers në importimin e kafesë që më pas mori famë si “pionier i teknologjisë dixhitale” në rajon. Hoxha e nisi perandorinë e tij mediatike në vitin 1998, kur themeloi "Top Albania Radio" dhe tre vjet më pas televizionin "Top Channel", i cili u kthye brenda një kohe të shkurtër në ekranin kryesor të vendit.
Në vitin 2004, Hoxha lançoi platformën me pagesë "DigitAlb", e cila e fuqizoi edhe më tej konglomeratin e tij mediatik. Dritan Hoxha vdiq më 23 Maj 2008 si pasojë e një aksidenti automobilistik me makinën e tij Ferrari 599. Në funeralin e tij morën pjesë drejtuesit më të lartë të vendit si ish-presidenti Bamir Topi dhe kryeministri aktual, Edi Rama.
Pas vdekjes së Dritan Hoxhës, kompanitë e themeluara prej tij u trashëguan nga bashkëshortja Vjollca Hoxha dhe katër fëmijët e tyre, Lorela, Sara, Redia dhe Itan. Megjithatë, zonja Hoxha vazhdoi të ruante një profil të ulët publik për disa vite me radhë, duke ia besuar menaxhimin e grupit mediatik bashkëpunëtorëve të ngushtë të të shoqit. Situata ndryshoi në vitin 2015, kur ajo mori në duar administrimin e "Top Channel" sh.a dhe nisi një proces gjyqësor kundër dy aksionerëve të shumicës, Albert Sino dhe Aurel Baçi. Në padinë e dorëzuar në gjykatë, Hoxha pretendoi se kontrata e shitjes së 60% të aksioneve mes Dritan Hoxhës dhe dy aksionerëve të tjerë e vitit 2007 ishte fiktive dhe e nënshkruar pa marrë miratimin e saj. Më 28 qershor 2017, Hoxha e fitoi çështjen në Gjykatën e Apelit, duke marrë nën kontroll së bashku me fëmijët e saj 100% të aksioneve të "Top-Channel" sh.a.
Përveç televizionit, familja Hoxha zotëron paketën kontrolluese të aksioneve të platformës me pagesë, "DigitAlb", radion "Top Albania", shtëpinë botuese "Saras", kompaninë e prodhimeve muzikore "My Music", si dhe 49% të aksioneve në kompaninë e tregtimit të kafesë "Valtelina". Vetë "Top Channel" sh.a zotëron 4.42% të aksioneve në kompaninë "Hightel Towers Albania" në ortakëri me konkurrentin "TV Klan" dhe biznesmenin Samir Mane.
Biznes
Rrjet shpërndarje dixhital
ADTN (51%)
Licencimi i ngjarjeve sportive
DigitAlb (51%)
Botues
Saras (100%)
Transmetime dixhitale
DigitAlb (51%)
Transmetime satelitore
DigitAlb (51%)
Teleshopping
DigitAlb (51%)
Telekomunikacion
Hightel Towers Albania (4.42%)
Televizion
Top Channel (100%)
Radio
Top Albania Radio (80%)
Tregti
Valtelina (49%)
Vini & Food (35%)
Prodhim muzikor
My Music (100%)
Reklama
VGA (100 %)
Familjarë & miq
Interesat e lidhura të anëtarëve të familjes
Filip Çakuli - është anëtar i Këshillit Mbikqyrës të kompanisë Top Channel sh.a dhe drejtues i emisionit satirik investigative, Fiks Fare.
Ledion Liço - është anëtar i Këshillit Mbikqyrës të kompanisë Top Channel sh.a dhe moderator televiziv. Ai është gjithashtu i martuar me Sara Hoxhën.
Erion Ylli - mban postin e zv.drejtorit të Përgjithshëm të kompanisë Top Channel sh.a. Ai zotëron gjithashtu 20 % të aksioneve në kompaninë e përpunimit të naftës Recovered Earth Albania sh.a.
Më shumë informacion
Meta Data
Top Media nuk është një ent ligjor, por një grup kompanish të cilat zotërohen kryesisht nga familja Hoxha. Të dhënat e pronësisë dhe bilancet financiare për Top Channel, Top Albania Radio dhe DigitAlb janë siguruar në Qendrën Kombëtare të Bizneseve. Të dhënat financiare i përkasin vitit 2016. Për të konvertuar shumat në dollarë u përdor kursi mesatar i këmbimit i Bankës Qendrore. Top Channel iu përgjigj një kërkese për informacion të ekipit të MOM më 29 Dhjetor 2017. DigitAlb gjithashtu iu përgjigj kërkesës për informacion të MOM në Janar 2018. Për më shumë shikoni burimet.