This is an automatically generated PDF version of the online resource albania.mom-gmr.org/en/ retrieved on 2024/12/10 at 18:15
Global Media Registry (GMR) & BIRN ALBANIA - all rights reserved, published under Creative Commons Attribution-NoDerivatives 4.0 International License.
BIRN ALBANIA LOGO
Global Media Registry

Përqendrimi i Medias

Kompanitë nën pronësi familjare dominojnë tregun e medias

Pavarësisht shumë mungesave, për shumë vite media shqiptare perceptohej nga kërkuesit si konkurruese dhe relativisht e larmishme - kryesisht për shkak të numrit të madh të mediave që mbulonin një treg të vogël. Gjithsesi, të dhënat e reja mbi audiencën dhe përqendrimin e tregut të analizuara nga skuadra MOM, sugjerojnë se perceptimi i pluralizmit është një mit ndërsa audienca dhe të ardhurat mbeten të përqendruara në duart e pak grupimeve nën pronësi familjare, të cilat dominojnë tregun e medias.

Të dhëna të pabesueshme mbi audiencën

Në Shqipëri ka dy agjenci që ofrojnë kërkime mbi audiencën në tregun e televizioneve, Telemetrix dhe Abacus, ndërsa të dhënat mbi shtypin dhe radion janë të disponueshme vetëm nga Abacus. Për tregun e medias online, e cila ka përjetuar një bum në vitet e fundit me qindra portale lajmesh të hapura, të dhënat nuk janë të disponueshme. Ekspertët vendas të medias ngrenë dyshime se matja e tregut nga dy agjencitë janë të manipuluara në mbështetje të njërit nga dy operatorët e mëdhenj të tregut, "Top Media" dhe "Klan". Disa stacione televizive u përgjigjën ndaj kërkesës së MOM për informacion dhe pretenduan gjithashtu se nuk ka matje të besueshme të audiencës në vend. Dallimi mes matjeve të audiencës nga Telemetrix dhe Abacus e shënjojnë tregun e televizioneve në Shqipëri si me rrezik të lartë.

Përqendrim i lartë i audiencës në TV dhe Radio

Megjithëse të dhënat e audiencës janë të debatuara, llogaritjet e skuadrës së MOM mbi përqendrimin e audiencës tregojnë se bazuar në të dhënat e Abacus, katër pronarët e mëdhenj (Familja Frangaj, Familja Hoxha, Familja Dulaku dhe Familja Ndroqi) në treg kontrollojnë 48.93% të audiencës, ndërsa bazuar në të dhënat e Telemetrix, katër pronarët më të mëdhenj (Familja Frangaj, Familja Hoxha, Irfan Hysenbelliu dhe Familja Dulaku) kontrollojnë 58,6% të audiencës. Bazuar në metodologjinë e MOM, të dhënat e Telemetrix sugjerojnë një përqendrim të lartë në tregun e televizioneve.

Përqendrimi është gjithashtu i lartë në tregun e radiove, ku katër pronarë (Familja Hoxha, Arben Bylykbashki, Radio Publike dhe Familja Ndroqi) kontrollon  63.96% të audiencës.

Në tregun e shtypit, një pronar i madh (Irfan Hysenbelliu) kontrollon drejtpërsëdrejti 30.22% të audiencës, ndërsa katër pronarët e mëdhenj (Irfan Hysenbelliu, Koço Kokëdhima, Henri Çili dhe Vëllezërit Dabulla) kontrollojnë 43.29% të audiencës.

Përqendrim i lartë në pronësinë e medias

Edhe pronësia mbi sektorë të ndryshëm - TV, shtyp dhe radio - në Shqipëri vlerësohet gjithashtu i përqendruar. MOM llogariti përqendrimin ndërsektorial në bazë të audiencës së ponderuar për shtypin, radion dhe tregun televiziv, gjë që nuk tregon aq shumë fuqinë ekonomike sa ndikimin potencial të pak pronarëve në opinionin publik.

MOM e ka llogaritur përqendrimin ndërsektorial të audiencës bazuar në të dhënat e audiencës së ofruara nga Telemetrix dhe Abacus Research. Edhe pse devijojnë nga njëra-tjetra, të dyja setet e të dhënave tregojnë rrezik të lartë për përqendrim ndërsektorial të audiencës. Në Shqipëri të tetë pronarët e mëdhenj arijnë përmes mediave të ndryshme 72.51% audiencës sipas të dhënave të ofruara nga Abacus dhe madje 80.1% sipas Telemetrix.

Për shkak të mungesës së të dhënave, mediat në internet nuk mund të përfshihen në llogaritjen e përqendrimit ndërsektorial, edhe pse duket se janë shumë të rëndësishme në kuptim të konsumit - edhe më shumë se sa shtypi dhe radiot. Gjithsesi mund të supozohet se, për shkak se mediat online janë seksione të markave kryesore të medias në Shqipëri, kjo mund ta përshkallëzojë edhe më shumë shifrën e përqendrimit ndërsektorial. 

Përqendrim i lartë në tregun e mediave audiovizive

Llogaritja e pjesëve të tregut për televizionet dhe gazetat ofrojnë edhe më shumë prova për përqendrimin e tregut. Sipas llogaritjeve të MOM bazuar në raportet financiare të vitit 2016, katër pronarët e mëdhenj të televizioneve pa pagesë zotërojnë bashkërisht 89.6% të tregut, gjë që konsiderohet e lartë. Ndërsa nëse në llogaritje përfshijmë edhe të ardhurat nga rrjetet dixhitale "DigitAlb" dhe "Tring", si dhe transmetuesin publik RTSH, pjesa e katër pronarëve të mëdhenj rritet në 93%. Të katër pronarët më të mëdhenj në tregun komercial të transmetimeve pa pagesë janë Familja Hoxha me "Top Media", Familja Frangaj me "Klan TV", Familja Dulaku me "Media Vizion" dhe Irfan Hysenbelliu me News 24.

Më vete dy pronarët e mëdhenj në tregun e transmetimeve falas, Hoxha dhe Frangaj kontrollojnë bashkërisht 71.7% të tregut. Ndërsa nëse marrim tregun total bashkë me rrjetet e transmetimeve dixhitale dhe transmetuesin publik, familja Hoxha kontrollon e vetme 55% të tregut. Të ardhurat e tre pronarëve të mëdhenj (Familja Hoxha, Familja Frangaj dhe Familja Dukalu) në tregun e transmetimeve pa pagesë, ku të ardhurat janë nga reklamat, marrin më shumë se gjysmën e të ardhurave totale nga reklamat të cilat vlerësohen për vitin 2017 në 38.5 milionë euro.

Megjithëse tregu i shtypit është i vogël, të dhënat mbi përqendrimin mbeten të larta. Lideri i tregut, Irfan Hysenbelliu kontrollon i vetëm gjysmën e tregut me 53.9%. Ndërsa katër pronarët në tregun e shtypit (Hysenbelliu, Koço Kokëdhima, Vëllezërit Leka dhe Vëllezërit Dabulla) kanë bashkërisht 86.5% të tregut. MOM nuk mundi të llogariste pjesët e tregut të katër mediave të mëdha në radio dhe online.

Aktualisht, Familja Hoxha kontrollon tre nga gjashtë licencat televizive kombëtare në Shqipëri, përmes kompanive "DigitAlb", "ADTN" dhe "Top Channel". Ligji mbi median audiovizuale në Shqipëri, i miratuar më 2013 me asistencë nga organizatat ndërkombëtare, vendosi kufizime të qarta mbi pronësinë e transmetimeve televizive. Neni 62 i ligjit sanksionoi se "një person apo ent nuk mund të ketë më shumë se 40% të aksioneve në një kompani që ka fituar një licencë transmetimesh kombëtare". Në maj 2015, deputeti socialist Taulant Balla propozoi një ligj për amendimin e nenit 62 të ligjit të medias audiovizive me synimin për të hequr të gjitha kufizimet në pronësi. Por "Amendamenti Balla" shkaktoi opozitë të ashpër nga Bashkimi Europian dhe OSBE. Pas protestave nga bashkësia e zhvillimit të medias ndaj Amendamentit Balla, pronarët e medias ankimuan nenin 62/3 në Gjykatën Kushtetuese, e cila në maj 2016 vendosi në favor të tyre dhe e hoqi nenin nga ligji si antikushtetues. 

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  • Funded by
    BMZ